BE mund t’i vërë sanksione të reja Bjellorusisë

Bruksel

Zyrtarë të Bashkimit Evropian janë takuar të premten në Bruksel, ndërsa në fund të takimit kanë lënë të kuptohet se BE-ja mund të vërë sanksione të reja kundër Bjellorusisë.

Takimi ka ndodhur pasi që Minsku, javën e kaluar, ka dëbuar ambasadorin e Suedisë, për shkak të, siç është thënë, “mbështetjes tejet të madhe për të drejtat e njeriut”.

Mosmarrëveshjet kanë nisur kur një aktivist suedez, muajin e kaluar, ka hedhur më shumë se 800 arinj lodra pranë Minskut, me mesazhe pro lirisë së shprehjes.

Sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Torbjorn Jagland, ka thënë se dëbimi i ambasadorit suedez “nuk do të jetë në favor të Bjellorusisë për t’i dhënë fund izolimit nga pjesa tjetër e Evropës”.

Kryetari i Komitetit për Politikë dhe Siguri pranë BE-së, Olof Skog, ka thënë se Minsukut do t’i dërgohet “një mesazh shumë i qartë në ditët e ardhshme”.