New York Times: Shtetet e Bashkuara dhe bota myslimane

Afganistan...


Fragmentet e filmit anti-islamik, të cilat kanë nxitur sulmet kundër ambasadave amerikane dhe protestat e dhunshme në botën myslimane, kanë qenë një fitil i përshtatshëm për zemërim, shkruan gazeta “New York Times”. Një gjë e tillë, sipas saj, është edhe pasojë e shoqërive të zemëruara me mungesën e vendeve të punës, bllokimin ekonomik dhe dekadat e represionit nga qeveritë e mëparshme arabe.

Në vazhdën e Pranverës Arabe, këto shoqëri të sapoçliruara janë bërë terrene betejash për ekstremistët islamikë, të moderuarit dhe laikët – që të gjithë pretendues të pushtetit dhe ndikimit në ndryshimet demokratike.

Këto forca dhe sulmet mund të jenë përtej kontrollit të politikës së jashtme amerikane, pa marrë parasysh se në çfarë duan të besojnë disa, shkruan “New York Times”.

E përditshmja amerikane thekson se shumë liderë islamikë dhe degë të Al Kaidës janë të etura për të shfrytëzuar trazirat për qëllimet e tyre. Sipas gazetës, një forcë destruktive është Hasan Nasrallah, kreu i Hezbollahut, i cili ka mbledhur një protestë të madhe anti-amerikane në Liban. Ai padyshim se bën përpjekje të ringjallë popullaritetin e tij, të dëmtuar rëndë nga aleanca me presidentin brutal të Sirisë, Bashar al-Asad.

Ekstremistët anti-amerikanë, të cilët kanë vrarë ambasadorin Kristofer Stivens dhe tre kolegë të tij në Bengazi, ose kanë bërë protesta në qytete të tjera, kanë forcuar frikët më të këqija të atyre që shohin myslimanët përmes prizmit të jotolerancës dhe urrejtjes, shkruan “New York Times”.

Ekstremistët, vijon artikulli, kanë bërë dëme serioze për ekonomitë e tyre. Turizmi dhe bizneset nuk mund të rriten në kaos dhe pasiguri.

Në vend që të kërkojnë nga qeveritë që të ofrojnë vende pune dhe strehime të nevojshme, protestuesit janë fokusuar në një film të vrazhdë, të promovuar nga fanatikë të urrejtjes në Shtetet e Bashkuara, shkruan gazeta.

Sipas mediave në botën arabe, ideja se Qeveria e Shteteve të Bashkuara refuzon të censurojë materialin anti-islamik, duke u thirrur në lirinë e shprehjes, mbetet e pashpjegueshme për shumë myslimanë.

Të mërkurën, një revistë franceze ka publikuar karikatura vulgare të Profetit Muhamed, duke provokuar valë të re zemërimi.

Në vitin 2009, kujton “New York Times”, presidenti Obama ka kërkuar afrimin me myslimanët. Duke folur në Kajro, ai ka thënë se Amerika kurrë nuk do të hyjë në luftë me Islamin, ndërsa nuk do të hezitojë të konfrontojë ekstremizmin.

Presidenti po ashtu u ka bërë thirrje myslimanëve të krijojnë qeveri të zgjedhura dhe paqësore, që respektojnë popullin. Të pakët ishin ata që do të parashikonin se sa kombe arabe do të luftonin për të arritur këtë standard.

Shumica e turmave janë përbërë nga mijëra njerëz ose më pak, shkruan “New York Times”. Sipas saj, edhe më pak liderë kanë dënuar dhunën dhe kanë premtuar se do të forcojnë sigurinë në ambasadat dhe konsullatat amerikane.

Por, ata duhet të shpjegojnë publikisht se përse janë të rëndësishme marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara. Libianët që kanë bërë përpjekje të shpëtojnë ambasadorin Stivens, sigurisht se kanë parë vlera në këto marrëdhënie, shkruan gazeta.

Po sipas saj, Mit Romni dhe republikanët kanë ngritur akuza absurde, duke thënë se zoti Obama ka qenë i dobët. Ata kanë ofruar vetëm pohime konfuze dhe shpesh kundërthënëse, në vend të një alternative konkrete. Sipas “New York Times”-it, ata nuk e kanë marrë mesazhin se Uashingtoni nuk mund dhe nuk duhet të bëjë përpjekje të imponojë vullnetin e tij mbi demokracitë e brishta arabe.

Megjithatë, ai nuk duhet të tërhiqet nga mbështetja për popujt e Libisë, Tunizisë dhe Egjiptit, të cilët janë angazhuar për ndërtimin e qeverive demokratike dhe shoqërive pluraliste, të bazuara në sundimin e ligjit, ashtu siç kërkon Kongresi. Shtetet e Bashkuara duhet të mbesin të angazhuara, në cilëndo mënyrë të mundur, shkruan “New York Times”.

Përgatiti: Valona Tela