Siri: Kryengritësit e kanë marrë një bazë ajrore

Pjesëtarët e Ushtrisë së Lirë të Sirisë në linjën e parë të frontit në qytetin Alepo

Aktivistët sirianë thonë se kryengritësit e kanë marrë kontrollin ndaj një baze të mbrojtjes ajrore afër qytetit Alepo.

Videot e publikuara në Internet tregojnë se si kryengritësit i marrin armatimet nga një depo ushtarake, për të cilën ata thonë se ishte në këtë bazë.

Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut me seli në Londër thotë se luftëtarët e ndërlidhur me al-Kaidën të grupit Jabhat al-Nusra, kanë marrë pjesë në marrjen e bazës.

Trupat qeveritare dhe kryengritësit po luftojnë tash e disa muaj për kontrollin ndaj qytetit Alepo, që thuhet se është qyteti më i madh në Siri.

Njëherësh, agjencia Reuters raporton se Turqia sot ka urdhëruar fluturimin urgjent të aeroplanëve luftarakë në kufirin me Sirinë, pasi një helikopter ushtarak sirian e ka bombarduar qytetin kufitar sirian Azmarin.

Turqia i ka tërhequr vërejtjen Sirisë kundër çfarëdo bombardimi të mëtejshëm ndërkufitar, pasi luftimet ndërmjet trupave siriane dhe kryengritësve disa herë kanë kaluar në territorin turk, gjatë javës së kaluar.