Berlusconi thotë se do të mbetet në politikë

Silvio Berlusconi

Ish-kryeministri i Italisë, Silvio Berlusconi, ka thënë se do të qëndrojë në politikë, me gjithë vendimin e gjykatës për ta dënuar me katër vjet heqje lirie, për shkak të mashtrimeve me taksa.

Por, Berlusconi ka thënë se nuk do të garojë për kryeministër në zgjedhjet kombëtare, në prillin e ardhshëm.

“Nuk do të paraqes kandidaturën time, por do të mbetem përkrah njerëzve të rinj, që mund të arrijnë qëllime”, u ka thënë Berlusconi gazetarëve.

Të premten, një gjykatë në Milano i ka shqiptuar Berlusconit dënimin me katër vjet burgim, për ta reduktuar pastaj në një, në bazë të një amnistie.

Gjykata po ashtu ka urdhëruar atë dhe bashkëpunëtorët e tij që t’iu paguajnë autoriteteve tatimore 10 milionë euro.

Avokatët e Berlusconit kanë thënë se do të apelojnë vendimin.