Avokati i Tymoshenkos thotë se ajo ende ndodhet në grevë urie

Yulia Tymoshenko (Foto nga Arkivi)

Një avokat i ish-kryeministres së burgosur ukrainase, Yulia Tymoshenko, i ka mohuar deklaratat e zyrtarëve se klientja e tij e ka përfunduar grevën e urisë.

Më herët gjatë ditës, zv/ministrja e Shëndetësisë e Ukrainës, Raisa Moiseyenko tha se Tymoshenko e ka ndalur grevën e urisë pas takimit që kishte pasur sot me mjekët e saj gjermanë.

Moiseyenko tha se Tymoshenkos i është dërguar ushqimi në dhomën e saj, në një spital në qytetin lindor të Kharkivit, ku aktualisht është duke u trajtuar.

Mirëpo Serhiy Vlasenko, avokati i Tymoshenkos u tha gazetarëve se ish-kryeministrja ende është në grevë dhe nuk e ka rifilluar të ushqyerit.

Tymoshenko ndodhet në grevë urie që 17 ditë, në shenjë proteste ndaj parregullësive në zgjedhjet parlamentare të 28 tetorit, ku fituese doli partia e rivalit të saj politik, presidentit Viktor Yanukovich.