Përleshje të reja në Kajro

Protestues kundër presidentit islamik, Mohamed Morsi

Përleshje të reja shpërthyen sot në sheshin Tahrir të Kajros mes policisë dhe protestuesve të zemëruar nga një dekret i presidentit Muhamed Morsi, me të cilin i dha vetes kompetenca gjithëpërfshirëse.

Imazhet televizive treguan policinë duke hedhur gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit në një rrugë jashtë sheshit.

Të martën, dhjetëra mijëra protestues u mblodhën në sheshin Tahrir për të kërkuar nga Morsi shfuqizimin e dekretit, me të cilin, vendimet e tij, bëhen të paprekshme nga gjykatat.

Protestat u organizuan edhe në qytete të tjera.

Ministria e Shëndetësisë tha se të paktën 100 njerëz u lënduan në protestat e së martës.

Të paktën dy persona kanë vdekur në dhunën, që nga lëshimi i dekretit. Kundërshtarët thonë se dekreti i jep presidentit islamik fuqi “diktatoriale”.