Në Egjipt priten protesta masive

Pamje nga protestat në Kajro, më 30 nëntor 2012.

Protesta masive pritet të mbahen sot në Kajro të Egjiptit, si pasojë e tensioneve që ka shkaktuar projekt-kushtetuta e re, e miratuar nga aleatët islamikë të presidentit Muhammad Morsi.

Mijëra mbështetës të opozitës kanë protestuar të premten në Sheshin Tahrir dhe në qytete të tjera.

Vëllazëria Myslimane, lëvizje nga e cila ka dalë edhe vetë Morsi, u ka bërë po ashtu thirrje mbështetësve të saj që të tubohen.

Asambleja e udhëhequr nga islamikët ka miratuar projekt-kushtetutën e re të premten, pavarësisht bojkotit të liberalëve dhe të krishterëve.

Kritikët thonë se ajo kërcënon të minojë disa të drejta themelore.

Morsi pritet të miratojë draftin këtë fundjavë. Ai thotë se miratimi i kushtetutës do të anulojë dekretin e tij të fundit, që i jep vetes kompetenca shtesë për të nxjerrë vendime pa mbikëqyrje gjyqësore.