Zvicër: Më pak azilkërkues nga Ballkani

Flamuri i Zvicrës

Numri i azilkërkuesve nga vendet e Ballkanit, që gëzojnë regjim të udhëtimit pa viza, ka rënë shumë, prej se Zvicra, në fund të muajit gusht, e ka filluar procedurën e shpejtë prej 48 orësh për zgjidhjen e kërkesave për azil, ka kumtuar sot Shërbimi Federal për Migrim.

Ky shërbim, mëtutje ka njoftuar se në nëntor, numri i azilkërkuesve nga Serbia ishte 34, ndërsa nga Maqedonia 11.

Por, megjithë përshpejtimin e procedurës prej 20 gushtit, në Zvicër, në muajin nëntor ka pasur më shumë azilkërkues nga Bosnjë Hercegovina se sa në muajin tetor. Numri i tyre në nëntor ishte 33.

Në njoftimin e Shërbimit Federal të Migrimit, në Zvicër, në muajin nëntor janë paraqitur gjithsej 2376 kërkesa, ndërsa më së shumti azilkërkues janë nga Eritreja, Nigeria, Tunizia, Afganistani dhe Siria.