Britani: Aktivistja Malala në operacion të kafkës

Malala e shoqëruar nga personeli mjekësor në Britani

Aktivistja e re pakistaneze, Malala Yousafzai, e cila ishte qëlluar në kokë nga talibanët, duhet të bëhet operacion gjatë disa ditëve të ardhshme për ripërtritjen e kafkës së saj.

Mjekët në Spitalin Mbretëresha Elizabetë në pjesën veriore të Anglisë, thanë se Malala do t’i nënshtrohet një operacioni të ndërlikuar për zëvendësimin e një pjese të kafkës së saj me një pllakë prej titanit.

Ata thonë se Malala është krejtësisht e shurdhër në veshin e saj të majtë dhe se mjekët do ta vendosin një pajisje për t’i ndihmuar të dëgjojë.

Mjekët kanë theksuar se Malala nuk ka treguar shenja të tjera të lëndimit të vazhdueshëm të trurit, siç është humbja e memorjes ose ndryshime hormonale.

15 vjeçarja Malala ishte qëlluar me armë në muajin tetor të vitit të kaluar, derisa ajo kthehej nga shkolla, në rajonin e trazuar Swat në Pakistan.

Ajo ishte sulmuar nga talibanët për shkak të punës së saj në promovimin e arsimit të vajzave.