Hetime të reja ndaj kundërshtarit të Putinit

Alexei Navalny

Hetime të reja kriminale kanë nisur ndaj opozitarit rus, Alexei Navalny, dhe vëllait të tij, Oleg.

Komiteti Hetues i Rusisë ka thënë se vëllezërit Navalny kanë “bindur” një kompani që të nënshkruajë një kontratë jofitmprurëse me firmën e tyre më 2008, duke shkaktuar kështu një humbje prej gati 120,000 dollarësh.

Hetimet e reja vijnë një ditë pasi Navalny është shfaqur në gjyqin për të tjera akuza, por që në të njëjtën ditë është shtyrë për 24 prill.

Navalny akuzohet për vjedhjen e 16 milionë rublave nga një kompani e drurit në Kirov, në kohën kur ka punuar për guvernatorin e këtij qyteti.

Navalny, 36 vjeç, i hedh poshtë akuzat duke i cilësuar si ndjekje politike, që synon të heshtë kritikat e tij për presidentin Vladimir Putin.

Navalny ka qenë në krye të protestave opozitare që kanë tronditur Rusinë vitin e kaluar, kur Putini ka fituar zgjedhjet presdenciale.