Danimarka - fituese e Eurovizionit 2013

Emmelie de Forest

Emilie de Forest nga Danimarka ka fituar Festivalin Evropian të Këngës, 2013.

Këngëtarja 20-vjeçare ka mposhtur 25 finalistët e tjerë në Malmo të Suedisë me këngën “Only Teardrops”.

De Forest ka marrë 281 pikë, për t’u pasuar nga përfaqësuesi i Azerbajxhanit, Farid Mammadov, i cili ka dalë i dyti me 234 pikë.

Kënga e tij “Hold me” ka qenë një tjetër performancë e shquar për Azerbajxhanin, i cili vitin e kaluar ka qenë nikoqir i Eurovizionit.

Në vendin e tretë ka dalë Ukraina, përfaqësuesja e së cilës, Zlata Ognevich, me këngën “Gravity”, ka marrë 214 pikë.

Në edicionin e sivjetmë, Shqipëria është përfaqësuar me këngën “Identitet” nga Adrian Lulgjuraj dhe Bledar Sejko, por nuk ka arritur të kualifikohet në finale.