Kosova kërcënohet nga mjedisi i ndotur

Pamje nga aksioni "Ta pastrojmë Kosovën", 24 maj 2013


Ndotja e mjedisit në Kosovë, përveç që ndikohet nga kompanitë e mëdha të industrisë së rëndë, siç është Korporata Energjetike e Kosovës, “Ferronikeli”, pastaj fabrika e çimentos “Sharrcem” ,në Han të Elezit, kjo ndotje bëhet edhe nga hedhja e mbeturinave të qytetarëve vend e pa vend.

Njohës të çështjeve mjedisore në Kosovë, vlerësojnë se rreth 1.8 milion banorë po kërcënohen nga mjedisi i ndotur në vend. Por, siç thonë ata, janë po këta banorë, të cilët po tregohen të papërgjegjshëm në mbrojtjen e mjedisit ku ata jetojnë.

Profesor Zeqir Veselaj, ekspert i mjedisit, thotë se parametrat mjedisor në Kosovë janë larg standardeve, të cilat do të mundësonin një jetë të shëndetshme.

“Një ndër hallkat kryesore të ndotjes së mjedisit në një shoqëri, është faktori njeri. Ajo çka ne duhet të bëjmë, është ta ngremë vetëdijen se gjithçka sa i përket ndotjes që e sheh çdo ditë syri ynë, është nga ne. Ky është një mesazh që për të zvogëluar këtë ndotje, gjithçka varet nga ne”, thotë Veselaj.

Të dhënat për cilësinë e ajrit në Kosovë, janë të mangëta për shkak të mungesës së rrjetit të monitorimit të cilësisë së ajrit. Po ashtu, ende nuk është bërë inventarizimi i ndotësve dhe nuk është përpiluar kadastra e ndotësve të ajrit.

Por, disa vlerësime që janë bërë kohë më parë nga Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit, thuhet se ndotja e ambientit në Kosovë i tejkalon normat e lejuara evropiane, ndërkohë që rezultatet, të cilat i posedon kjo agjenci, tregojnë se vetëm në Prishtinë këto vlera tejkalohen për 3 deri në 6 herë më shumë, sesa ato të lejuarat.

Të premten në mbarë Kosovën ka filluar dita e pastrimit - një aksion i cili ndërmerret një herë në vit dhe organizohet nga Iniciativa “Ta Pastrojmë Kosovën”.

Nora Cukaj nga kjo organizatë, tregon për Radion Evropa e Lirë se Kosova, sot, si çdo ditë tjetër ka qenë e stërmbushur me mbeturina të hedhura nga qytetarët vend e pa vend. Aksionit të 24 majit, tregon Cukaj, iu bashkuan mbi 100 mijë vullnetarë.

“Fatkeqësisht, Kosova është në gjendje të mjerueshme nga mbeturinat. Ato mund ti shohësh gati në çdo cep të rrugëve. Kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, është në një situatë të palakmueshme nga mbeturinat dhe për këtë, shumica e vullnetarëve janë të përqendruar në këtë qytet”, thekson Cukaj.

Prishtinë...

Mbeturinat e mbledhura, tregon Cukaj, do të dërgohen në deponi legale, por edhe kjo parqet problem, pasi që si të tilla, në ato vend ku edhe hidhen, ato shkaktojë ndotje për qytetarët që jetojnë afër tyre. Për këtë, Cukaj thotë se duhet aktivitet shtesë dhe përkrahje nga Qeveria e Kosovës.

“Ashtu si vitin e kaluar, ne po mundohemi t’i largojmë, t’i grumbullojmë në një vend, por na mungon një proces i riciklimit. Ato deponi mbesin aty, ai problem nuk është zgjidhur, duhet aktivitet shtesë, Qeveria duhet të merret me problemin e riciklimit, pasi që ne nuk kemi ku t’i hedhim apo vendosim”, shton Cukaj.

Iniciativës “Ta pastrojmë Kosovën”, i janë bashkuar edhe institucionet e Kosovës.

Sistemi i menaxhimit të mbeturinave në Kosovë nuk ofron të dhëna të plota për gjenerimin, mbledhjen, trajtimin dhe mënjanimin e mbeturinave. Rreth 90 për qind popullsisë urbane mbulohet me mbledhjen e organizuar të mbeturinave, edhe pse ka mungesë të pajisjeve dhe vendeve të dedikuara për hedhjen e mbeturinave.

Grumbullimi i organizuar i mbeturinave në zonat rurale mbulon me pak se 10 për qind të territorit.

Eksperti i ambientit, Zeqir Veselaj, konsideron se nuk arrihet të pastrohet Kosova me iniciativa ditore, kjo mund të bëhet duke ngritur vetëdijen e qytetarit.

“Pavarësisht nismave ditore që të bëhen pastrime, një punë më strategjike afatgjate në përmirësimin e vetëdijes së qytetarit, mendoj se i duhet kësaj shoqërie. Te grupmoshat deri në 18 vjet duhet të mbahen ligjërata apo aktivitete, të cilat vetëdijesojnë ata, ndërsa për ata që janë mbi 18 vjet vetëdijesimi më i mirë vije nëpërmjet veprimit të instrumenteve ligjore”, konsideron Veselaj.