Wall Street Journal - Joe Biden: Mbizotërimi i Amerikave

Joe Biden

Nënpresidenti amerikan Joe Biden, në një shkrim autorial të botuar në Wall Street Journal thekson rëndësinë që ka pasur përhapja e tregut të lirë dhe demokracisë në lulëzimin e ekonomisë në shtetet e Amerikës Latine dhe Karaibe.

“Në javën e kaluar, gjatë një udhëtimi pesë-ditësh në Amerikën Latine dhe në Karaibe, vizitova një fermë lulesh jashtë Bogotës, në Kolumbi, diku një orë larg qytetit, që para 10 vjetësh, do të kishte qenë veprim tepër i rrezikshëm. Gjatë rrugës kalova parqe zyrash, kinema e rançe dhe biznese familjare. Në fermën e luleve, një e katërta e punëtorëve ishin femra, që mbajnë familjen. Lulet që kultivonin, do të arrijnë në dyqanet amerikane, brenda disa ditësh, pa taksa doganore”, përshkruan Biden.

Ajo që pashë në fermën e luleve, thekson nënpresidenti amerikan, ishte shenjë e lulëzimit ekonomik, në vitin kur hyri në fuqi marrëveshja e tregtisë së lirë me Kolumbinë. Për këtë periudhë, eksportet amerikane në këtë vend janë rritur për 20 për qind.

Nënpresidenti amerikan, në artikull thekson se përvoja me Kolumbinë, reflekton një bum më të gjerë ekonomik në Hemisferën Perëndimore, që ofron partneritete dhe mundësi më të madhe për biznesin amerikan.

“Në Rio de Zhaneiro, kam takuar udhëheqës brazilianë dhe amerikanë të biznesit, që përfaqësonin hapësirën ajrore, energjinë, sektorë ndërtimi e fabrika- të cilët shpërfaqen vizionin për prosperitetin në kontinentin amerikan. Dhe siç e bënë të qartë këta liderë, Amerika Latine sot është një rajon i transformuar”, thekson Biden, duke vënë në pah se zgjedhjet tashmë janë bërë normë, ndërsa në shumicën e vendeve, konfliktet në mes të djathtës dhe të majtës i kanë lënë rrugën një qeverisjeje paqësore dhe praktike.

Derisa liderët në rajon, punojnë për të hequr nga varfëria qytetarët e vet dhe për të bërë më të larmishme ekonominë, SHBA beson se premtimi më i madh për amerikanët dhe fqinjët e tyre, shtrihet në integrimin me të thellë ekonomik dhe në hapje.

Në këtë kuadër ai përmend lidhjet tregtare që SHBA ka duke u nisur nga Meksika e Kanadaja e deri në Kili.

“Një nga zhvillimet më premtuese është aleanca e Paqësorit në mes të Kilit, Kolumbisë, Perusë dhe Meksikës. Ky pakt, shkruan Biden, përfshin katër shtetet që kanë rritjen më të madhe ekonomike dhe tash vendet në tërë botën po kërkojnë të luajnë një rol pozitiv apo mbështetës. Ne jemi një nga këto shtete. Duke u përkushtuar për barriera të ulta tregtare dhe integrime diplomatike, anëtarët e aleancës tregojnë se ky pragmatizëm, dhe jo ideologjia, është sekreti i suksesit”, thekson Biden.

Ai vë ne pah se të gjitha mundësitë ekonomike shtrihen në mbrojtjen e demokracisë dhe sigurinë e qytetarëve.

Përmes Kartës Demokratike Ndër-Aamerikane, kombet e hemisferës sipas tij kanë promovuar dhe mbrojtur demokracinë, dhe “ky përkushtim mbetet më i rëndësishëm se kurrë për Amerikat”.

Ai ka theksuar se me këto shtete do të hapen edhe çështjet problematike, siç është ajo mbi drogën, apo edhe shqetësimet për armët.

“Brenda në vend ne duhet ta reformojmë sistemin tonë të imigrimit, sepse është gjëja e duhur që duhet bërë për vendin tonë. Por, gjithashtu ajo do të forcojë qëndrimin tonë në hemisferë. Suksesi në relacionet ndërkombëtare, sikurse çdo raport, vjen me respektin. Dhe duke i kuptuar potencialet e këtyre relacioneve të reja, kërkohet respekt në trajtimin e njerëzve nga kombet tjera që jetojnë brenda kufirit tone”, u shpreh nënpresidenti amerikan.

Ndryshimet që janë në rrugë, ftojnë SHBA-të që të vështrojnë në Amerikën Latine dhe Karaibe në një formë tjetër. Pyetja përcaktuese për politikën amerikane nuk është më “se çka mund të bëjmë për Amerikat”, por, “çka mund të bëjmë së bashku””.

Në vitet e ’90-ta, ne kemi imagjinuar Evropën si të plotë, të lirë dhe në paqe. Sot me besim mund t’i shohim kështu Amerikat, që kanë një klasë të mesme solide, që janë të sigurta dhe demokratike, që nga Qarku Arktik deri të Tierra del Fuego dhe kudo në mes”, përfundon shkrimin Biden.

Përgatiti: Albana Isufi