Kryengritësit sirianë sulmojnë kufirin irakian

Ushtarë irakianë në kufirin me Sirinë

Kryengritësit sirianë kanë sulmuar dy postblloqe kufitare irakiane duke vrarë një roje dhe plagosur dy të tjerë.

Koloneli i rojeve kufitare Nayif Zaili tha se postblloqet gjenden dy kilometra nga vendkalimi kufitar Al-Waleed, në kufirin mes Sirisë dhe Irakut.

Pjesa siriane e Al-Waleed mbetet nën kontrollin e qeverisë së presidentit Bashar al-Assad, por kryengritësit kërkojnë që ta fusin nën kontroll tash e disa muaj.

Ndërkohë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha të dielën se tërheqja e planifikuar e disa paqeruajtësve nga Lartësitë Golan tregon se Izraeli mund të llogarisë në trupat e vet për sigurinë.

Netanyahu po reagonte ndaj njoftimit të Austrisë në fillim të kësaj jave, që tha se do të tërhiqej nga misioni i OKB-së, pasi që kryengritësit sirianë kishin kaluar shkurtimisht në një pikë kufitare afër kufirit me Izraelin.