KDI: Ligji i amnistisë në favor të politikanëve

Ilustrim

Instituti Demokratik i Kosovës është e shqetësuar me përmbajtjen e ‘Projektligjit për Amnistinë’ i cili është planifikuar për miratim në lexim të parë, në seancën e nesërme plenare të Kuvendit të Kosovës.

Në një komunikatë për medie KDI konstaton se përmbajtja e tillë e këtij projektligji është në kundërshtim të plotë me interesat e qytetarëve të Kosovës dhe cenon sigurinë nacionale dhe interesin publik në Kosovë.

“Qeveria e Kosovës përkatësisht Ministria e Drejtësisë si sponzoruese e këtij projektligji, po tenton që përmes këtij projektligji të amnistojë një numër të madh të personave me precedente penale që janë pjesë e strukturave politike, institucionale apo edhe në pozita të larta publike”, thuhet në komunikatëne KDI-së.

“Qeveria e Republikës së Kosovës po ashtu ka paraparë që kategori të veprave penale që do t’i nënshtrohen amnistisë të jenë edhe shumë vepra penale apo krime ordinere si: vjedhja, fajdeja, haraçi, etj, e të cilat kanë dëmtuar rëndë jetën e qytetarëve të Kosovës që nga paslufta e deri më tani. Gjithashtu amnistia e veprave penale që lidhen me krimet ekonomike, janë mesazhe tejet të dëmshme dhe të rrezikshme për shoqërinë tonë”, thuhet tutje në këtë komunikatë.

Sipas KDI-së, e cila është edhe bartëse e Amnesty International Kosova, duke u nisur nga fakti se ky projektligj, “është kundër interesave të qytetarëve të Kosovës dhe kundër përpjekjeve për ndërtimin e shtetit ligjor”, KDI iu bën thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës që mos ta votojnë këtë projektligj dhe të njëjtin t’ia kthejnë qeverisë për ripunim.