Kritika Rusisë për dënimin e Navalnit

Protestë në mbrojtje të Navalny përballë misionit rus në OKB, në New York, 18 korrik, 2013

Kanë vazhduar kritikat ndaj Rusisë për dënimin e Aleksei Navalny, aktivist opozitar i cili u shpallë fajtor të enjtën për vjedhjen e lëndës së drurit të një kompanie ruse në vlerë prej 500 mijë dollarëve, në vitin 2009.

Navalni, një aktivist kundër korrupcionit dhe kritik i zëshëm kundër presidentit, Vladimir Putin, ka thënë se i tërë procesi është i motivuar politikisht.

Shtëpia e Bardhë ka thënë se dënimi i aktivistit Navalny është pjesë e një “trendi shqetësues të veprimeve qeveritare” për të shtypur shoqërinë civile në Rusi.

Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Marie Harf ka deklaruar se "përgjatë gjithë procesit ne kemi shprehur shqetësimin tonë për motivimin e dukshëm politik të tij. Ne jemi të trazuar rreth abuzimit të procesit të rregullt dhe sundimit të ligjit, ashtu siç është ilustruar nga sjellja e këtij gjyqi, ku gjyqtari ndërhynë në ekzaminimet e mbrojtjes dhe nuk pranon disa prej dëshmitarëve të mbrojtjes”.

Përpos Shtëpisë së Bardhë, vendimin e ka kritikuar edhe shefja e politikës së jashtme të BE-së, Catherine Ashton, dhe ish zyrtarë të lartë rus.

Ish lideri i Bashkimit Sovjetik, Mikhail Gorbachev, ka deklaruar se dënimi verifikon se gjyqet ruse nuk janë të pavarura.