Netanyahu: Bisedimet me palestinezët, “jetike” për Izraelin

Nga takimi i sekretarit amerikan të shtetit, John Kerry (majtas) dhe kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, në Jerusalem, në qershor të këtij viti

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, thotë se ripërtritja e negociatave me palestinezët, është “interes jetik strategjik” për Izraelin.

Në një deklaratë me shkrim, zoti Netanyahu tha se “është me rëndësi që vetë ne” të përpiqemi ta përfundojmë konfliktin ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve.

Sipas tij, arritja e zgjidhjes me palestinezët, poashtu, do ta ndihmoj Izraelin, që të ballafaqohet me sfidat nga Irani dhe Siria.

Kjo deklaratë është reagimi i parë i kryeministrit Netanyahu, pas shpalljes së djeshme të sekretarit amerikan të shtetit, John Kerry, se negociatorët izraelitë dhe palestinezë janë pajtuar për tu takuar, me qëllim që të vazhdojnë bisedimet direkte paqësore.

Këto bisedime ishin ndalur në vitin 2010, kur negociatat u shkatërruan për shkak të ndërtimit të vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor dhe në pjesën lindore të Jerusalemit.

Gjatë ditës së djeshme, Izraeli i ka shpallur planet për lirimin e një numri “të kufizuar” të të burgosurve palestinezë.