Nëntë libanezët e rrëmbyer arrijnë në Bejrut

Arritja e 9 libanezëve në Bejrut...

Nëntë libanezët shiitë kanë arritur në Bejrut, pasi janë liruar nga rebelët sirianë, të cilët i kanë mbajtur peng për 17 muaj.

Të nëntit janë liruar në këmbim të dy pilotëve të kompanisë Turkish Airlines, të cilët janë rrëmbyer në muajin gusht në Liban, në hakmarrje për pengmarrjen e libanezëve.

Pilotët janë kthyer po ashtu në Turqi të shtunën.

Nëntë libanezët kanë qenë duke udhëtuar përmes Sirisë në një pelegrinazh fetar në Iran, në maj të vitit 2012, kur edhe janë rrëmbyer.

Rebelët sirianë i kanë akuzuar ata për lidhje me milicinë shiite të Hezbollahut, e cila mbështet regjimin e presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad.