Vritet një vaksinues i poliomelitit në Pakistan

Pakistan - foto arkivi

Persona të armatosur kanë vrarë një vaksinues të poliomelitit në veriperëndim të Pakistanit.

Burimet zyrtare i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se sulmi ka pasur në shënjestër një spital në Peshauar të provincës Khiber.

Ministri i Shëndetësisë në këtë provincë, Shaukat Yousafzai, ka dënuar sulmin dhe është zotuar se do të mbrojë punëtorët shëndetësorë dhe se do të vazhdojë fushatën e vaksinimit kundër poliomelitit.

Këtë vit, militantët kanë vrarë dhjetëra vaksinues të poliomelitit dhe policë që i mbronin ata.

Militantët thonë se vaksinimi shfrytëzohet nga vendet perëndimore për të spiunuar dhe për të bërë sterilë fëmijët pakistanezë.

Pakistani është njëri nga vetëm tre vendet në botë ku sëmundja paralizuese është ende endemike.