Policia: Në Prishtinë u vra një i ri 14 vjeçar dhe një tjetër u plagos

Policia e Kosovës ka njoftuar se sot, pak pas mesditës, ka marrë informacion se në oborrin e shkollës Emin Duraku në Prishtinë, ka pasur të shtëna me armë zjarri.

Pasi doli në vendin e ngjarjes, policia kishte konstatuar se një djalosh 14 vjeçar, me iniciale F. K., kishte vdekur pas plagëve të marra nga arma e zjarrit, ndërsa djaloshi tjetër 14 vjeçar, Ç. B., ishte plagosur dhe ishte dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë për trajtim mjekësor.

Policia thotë se ka marrë një varg veprimesh në përpjekje për të zbardhur dhe sqaruar të gjitha rrethanat, që kanë të bëjnë me rastin.

Poashtu, policia është e fokusuar në identifikimin e personit të dyshuar me qëllim të zënies së tij dhe për ndriçimin e motiveve të kësaj ngjarjeje tragjike.

Këshilli i Rinisë Evropiane të Kosovës (KREK) ka kërkuar sot nga autoritetet që të krijohen kushte të sigurisë brenda dhe afër institucioneve edukativo-arsimore.