LDK: Faturat e larta të energjisë, haraç për keqmenaxhim

Logo e LDK-së

Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se përmes faturave të larta të energjisë elektrike, qytetarët e Kosovës po paguajnë menaxhimin e keq të Korporatës Energjetike dhe sektorit të energjisë në përgjithësi.

“Tash e sa vite, humbjet e energjisë në rrjet nuk janë zvogëluar dhe ndërtimi i kapaciteteve të reja ka ngecur. Protestat qytetare vitin që shkoi nuk mjaftuan për t’u vetëdijesuar personat përgjegjës. Qeveria, KEK-u dhe Zyra e Rregullatorit të Energjisë nuk ndërmorën masa, edhe pse u formua Komision Hetimor Parlamentar për Faturat e Energjisë Elektrike, i iniciuar nga LDK-ja, dhe u nxor raport me rekomandime konkrete”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Kjo parti i mban përgjegjës “të gjithë personat në zinxhirin menaxherial, nga menaxhmenti i KEK-ut e deri te qeveria për përkeqësimin e situatës”.

LDK-ja fton që urgjentisht të ndërmerren masa për të zbutur ngarkesën për qytetarë, në një kohë kur, sipas saj, të ardhurat po bien dhe varfëria është në rritje.