Lavrov: Të bëhet çdo gjë për sjelljen e stabilitetit në Ballkan

Sergei Lavrov gjatë konferencës së sotme për gazetarë në Moskë

Moska i mbështetë negociatat ndërmjet Beogradit e Prishtinës, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, ka deklaruar sot në Moskë, ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov.

“Nuk ka asnjë mënyrë për ta rishkruar historinë, por ne do të bëjmë çdo gjë të mundshme për sjelljen e stabilitetit në Ballkan”, tha ministri Lavrov, dhe ka shtuar se Rusia “në mënyrë energjike po kontribuon në këto përpjekje në shumë mënyra të ndryshme”.

Mëtutje, në konferencën e sotme për gazetarë në Moskë, ai ka theksuar se “padyshim, vetëm zgjidhjet që i kënaqin të dy palët kanë të drejtë të ekzistojnë”.

Në këtë kuadër Lavrov tha se “ne nuk mund të imponojmë çfarëdo ideje ose ndalese në cilëndo anë”, duke vlerësuar se “Serbia dhe të gjitha vendet e tjera në Ballkan, duhet t’i përcaktojnë interesat e veta dhe duhet të udhëhiqen nga këto interesa, derisa ato bëjnë vendime lidhur me të ardhmen në rajon”, raporton agjencia Interfax nga Moska.