Hapa konkretë për rritjen e produktivitet vendor

Ilustrim

Autoritetet e Kosovës duhet të krijojnë politika të mirëfillta ekonomike duke përkrahur prodhuesit vendorë në mënyrë që të ketë zhvillim ekonomik në vend dhe rrjedhimisht hapje të vendeve të reja të punës, thonë ekspertë të çështjeve ekonomike në Prishtinë.

Trendët aktualë ekonomikë, sipas tyre, nuk janë pozitiv dhe se politikat ekonomike janë duke shkuar në drejtim të gabuar, gjë që ka bërë të ketë numër enorm të papunësisë dhe varfërisë në vend.

Sipas të dhënave zyrtare, papunësia në Kosovës është mbi 30 për qind, derisa varfëria ekstreme është 10 për qind.

Profesori i ekonomisë, Musa Limani, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se Kosovës i duhen referoma të thella ekonomike.

“Nëse dëshirohet të ndryshohen këta trendë negativ, atëherë normalisht që qeveria duhet të bëjë një reformë rrënjësore ekonomike, në kuptimin e asaj që të gjitha instrumentet e politikës së zbatuar ekonomike t’i fusë në funksion të zhvillimit ekonomik, përkatësisht të bizneseve vendore dhe duhet të ketë parasysh që të bëhet një reformë adekuate në politikën fiskale dhe në tregtinë e jashtme”, thotë Limani.

Zhvillimi ekonomik, shton Limani, nuk bëhet me deklarata, por me masa konkrete ku sipas tij, resorët kryesorë ekonomikë duhet të udhëhiqen nga njerëz që kanë përgatitje profesionale dhe pragmatike në zhvillimin ekonomik.

Instrumentet e politikës ekonomike, thekson Limani, nëse nuk zbatohen në kohë dhe në vend të caktuar, ato shprehen negativisht në proceset ekonomike. Sipas tij, në mungesë të profesionalizmit, politikat ekonomike nuk po zbatohen ku duhet dhe si duhet, dhe për këtë arsye po paraqitet trendi negativ ekonomik.

“Jam ithtar i asaj të kemi një sistem proteksionist në tregtinë e jashtëm, një sistem të tillë e përdorin vendet më të zhvilluara të botës. Vendet që kanë nivel të ulët të zhvillimit, siç është rasti me Kosovën, zakonisht përdorin proteksionizmin që nëpërmes instrumenteve të tregtisë së jashtme, e mbrojnë biznesin vendor. Kurse, ne jo vetëm që nuk e bëjmë atë, por nëpërmjet politikës fiskale dhe kreditorë shumë të ashpër ne rajon, ne po e ngarkojmë biznesin vendor dhe në këtë mënyrë ia zvogëlojmë mundësitë materiale që biznesi kosovar të hapë veprimtarinë e vet të ngritë kapacitete të reja dhe të punësojë”, thekson ai.

Ditë më parë edhe Banka Botërore, në një raport të publikuar i ka rekomanduar institucioneve të Kosovës që të ndërmarrin veprime konkrete për të krijuar vende të punës.

Për të krijuar më shumë vende të punës, Banka Botërore rekomandon që krijimin e bazës për hapjen e vendeve të punës ta bëjnë përmes një mjedisi makroekonomik dhe afarist aftësues, që ua mundëson firmave ekzistuese që të zhvillohen dhe firmave të reja që të dalin në pah dhe të korrin sukses e të mos dështojnë shpejt, dhe atë me një kosto të ulët.

Një mundësi të mirë për zhvillimin ekonomik të Kosovës, ekspertët e ekonomisë e shohin edhe te remitencat, para këto që dërgohen nga qytetarët e Kosovës të cilët jetojnë jashtë vendit.

Remitencat, sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës në vit arrijnë shumën prej 600 milionë eurosh.

Dërgesat e emigrantëve të Kosovës, sipas ish-ministri i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri, luajnë rol shumë të rëndësishëm në mirëqenien e një numri të madh të qytetarëve të Kosovës, megjithatë këto para shumë pak investohen në krijimin e bizneseve që do të mundësonte zhvillim të ekonomisë dhe hapje të vendeve të reja të punës.

“ Një mobilizim i diasporës kosovare kishte qenë i mirëpritur që shumat që vijnë, t’iu gjendet një formë që do të mund të aktivizoheshin për investime kapitale në veprimtari që do të mund të hapnin vende të reja të punës”, thekson Shatri.

Shatri thekson se deri më tani ka munguar një aktivitete i tillë, i cili në mënyrë të organizuar, do t’i orientonte këto të hyra në investime.