Shoigu: Rusia nuk do ta invadoj Ukrainën

Chuck Hagel (djathtas) dhe Sergei Shoigu gjatë një takimi në tetor të vitit 2013

Ministri i mbrojtjes i Rusisë, Sergei Shoigu, gjatë një bisede të mbrëmshme telefonike, e ka siguruar sekretarin amerikan të mbrojtjes, Chuck Hagel, se Rusia nuk do ta invadoj Ukrainën.

Zoti Shoigu, poashtu, i tha zotit Hagel se trupat ruse janë kthyer në kazermat e tyre, pasi i kanë kryer ushtrimet në kufirin me Ukrainën.

Sipas tij, “autoritetet e Ukrainës kanë shpalluar se ato nuk do t’i përdorin njësitet e rregullta ushtarake kundër popullatës së paarmatosur” në Ukrainë.

Por, ministri rus i mbrojtjes, Shoigu, ka vlerësuar se aktiviteti i shtuar i forcave të Shteteve të Bashkuara dhe të NATO-s, afër kufijve rusë, janë të paprecedente.

Afro 150 ushtarë amerikanë tashmë kanë arritur në Estoni, për të marrë pjesë në ushtrimet ushtarake, lidhur me rritjen e tensioneve me Rusinë, për shkak të Ukrainës.

Me këtë vendosje, tash nurmi i ushtarëve amerikanë të dërguar në vendet baltike dhe në Poloni, gjatë krizës në Ukrainë, ka arritur në 600.