Qeveria kosovare kërkon dialog politik në Maqedoni

Ndërtesa e qeverisë së Kosovës (ARKIV)

Zbatimi në përpikmëri i Marrëveshjes së Ohrit dhe dialogu politik ndërmjet komuniteteve është “rruga e vetme e zgjidhjes së çështjeve të hapura në mes të komuniteteve në Maqedoni”, ka vlerësuar qeveria e Kosovës përmes një komunikate dërguar mediave.

“Respektimi i të drejtave fundamentale kushtetuese dhe institucionale është mënyra e vetme për të evituar eskalimin e dhunës, që do të mund të përcillej me pasoja të rënda për tërë rajonin”, thuhët ndër të tjera në këtë komunikatë.

Komunikata vazhdon më tej duke thënë se, “Populli shqiptar në Maqedoni ka përfaqësuesit e vetë zgjedhur në mënyrë demokratike, të cilët e kanë për obligim që t'i adresojnë në mënyrë institucionale problemet dhe shqetësimet e popullatës shqiptare”.

Qeveria e Kosovës në fund të deklaratës së saj iu ka bërë thirrje të gjitha palëve në shtetin fqinj të Kosovës për maturi dhe gjetje të zgjidhjes përmes dialogut të ndërsjellë.