Shtyhet afati për programin bërthamor të Iranit

(Ilustrim)

Fuqitë botërore dhe Irani janë pajtuar që të shtyjnë bisedimet për programin bërthamor iranian edhe për katër muaj, ndërsa pritet që SHBA-të të zhbllokojnë asete iraniane në vlerë prej 2.8 miliardë dollarëve.

Afati i fundit për të arritur marrëveshje ishte 20 korriku, por edhe më parë ishte spekuluar që ky afat do të shtyhej.

Shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Catherine Ashton dhe kryediplomati iranian, Mohamad Javad Zarif, përmes një deklarate të përbashkët pas bisedimeve në Vjenë kanë thënë: “Ka ende boshllëqe të mëdha për disa prej çështje kyqe të cilat kërkojnë ende kohë dhe përpjekje”.

Në anën tjetër, Shtëpia e Bardhë ka thënë se shtyrja ka qenë e nevojshme sepse Vashingtoni “nuk pranon asgjë tjetër pos një zgjidhe gjithëpërfshirëse që plotëson objektivat tonë”.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ka thënë se SHBA-të do të zhbllokojnë 2.8 miliardë dollarë në këmbim të pajtimit të Iranit që të konvertojë një pjesë të 20 % të stoqeve të uraniumit të pasuruar në karburantë.

Mirëpo, Kerry ka shtuar se Vashingtoni “do të vazhdojë të zbatojë sanksionet që mbesin ndaj Iranit”.