Irak: Militantët kanë kryer krime lufte kundër pakicës jazidi

Pamje e një pjese të Bagdadit

Ministri për të drejta të njeriut në Irak, Mohammed Shi al-Sudani, i ka sot akuzuar militantët e Shtetit Islamik se kanë kryer krime të luftës në pjesën veriore të Irakut, meqë i kanë vrarë qindra pjesëtarë të minoritetit religjioz, jazidi.

Mëtutje ai i akuzoi militantët se i kanë varrosur disa viktima të gjalla, përfshirë fëmijë dhe gra, dhe për trajtimin e grave si skllave.

Zoti Sudani tha se ata i kanë festuar “mizoritë e egra” me brohoritje dhe qitje me armë në ajër, duke i lënë viktimat e “shpërndara në varre masive në dhe rreth Sinjarit”, prej se e kanë okupuar këtë vendbanim para një jave.

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, ka thënë dje se ndoshta militantët kanë kryer “krime kundër njerëzimit” në pjesën veriore të Irakut.

Militantët islamistë thonë se i konsiderojnë pjesëtarët e minoritetit jazidi si “besimtarë të djallit” dhe i kanë urdhëruar ata që të kthehen në islamizëm ose në të kundërtën, ballafaqohen me ekzekutim.

Shumë pjesëtarë të këtij minoriteti kanë ikur në malet në veri të vendbanimit Sinjar.