Vetëvendosje: Lufta në Siri nuk është lufta jonë

Pamje nga Prishtina

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar sot me rastin e arrestimit të 40 personave nën dyshimet se për përfshirje në organizatat terroriste në Siri dhe Irak, duke thënë se “prokuroria e gjyqësori, policia e AKI-ja, porsi Qeveria e Kosovës, janë të shquar për skandale e papërgjegjësi, për korrupsion e partizim, prandaj nuk duhet të ngutemi me duartrokitje për një proces të cilit nuk i dihet mirë as fillimi e lëre më fundi”.

“Nëse del që policia i ka arrestuar këta 40 njerëz shumë më parë për bindjet dhe pamjet e tyre sesa për krimet e kryera, atëherë këto arrestime kollaj do të mund të bëhen kundërproduktive në të ardhmen”, thuhet në komunikatën e Vëtevendosjes.

Kjo Lëvizje gjithashtu vlerëson se e njeh “të drejtën universale të secilit për t'u solidarizuar me rezistencën e popujve të shtypur”, por “lufta në Siri nuk mund të jetë as lufta jonë e as luftë për ne”.

Duke numëruar problemet ekonomike dhe sociale si shkaktarë që, siç thuhet, “kanë bërë Kosovën tokë pjellore për ekstremizmin”, VV mban përgjegjës pushtetin aktual për këtë gjendje.