Partia e konfirmon Davutoglun për postin e kryeministrit

Kryeministri i ardhshëm turk, Ahmet Davutoglu

Partia turke për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) e ka konfirmuar Ahmet Davutoglun, si kryeministër dhe lider të partisë.

Vendimi që Davutoglu të zëvendësojë të sapo zgjedhurin si president të Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan në pozitën e kryeministrit është marrë sot gjatë kongresit të partisë në Ankara.

Davutoglu, gjatë kongresit ka thënë se anëtarësimi në BE është cak strategjik për Turqinë dhe se ai do e ndjek këtë agjendë.

Ai gjithashtu ka thënë se Turqia ka nevojë për kushtetutë të re me karakter liberal.

Erdogan ka thënë se ai do i kërkojë Davutoglut që të formojë qeveri të re më 28 gusht, ndërsa një ditë më pas të bëjë publike kabinetin e ri.

Erdogan pritet të inaugurohet si president më 28 gusht.

Ai ka qenë kryeministër i Turqisë për 11 vjet.

Erdogan pritet që të nxis ndryshime kushtetuese që ta transformojë presidencën nga një post ceremonial, ashtu siç është tani në një pozitë më të fuqishme.