Moskë: Putin dhe Poroshenko biseduan për krizën në Ukrainë

Putin (majtas) dhe Poroshenko gjatë takimit të tyre të fundit në Minsk më 26 gusht

Dmitry Peskov, zëdhënës i Kremlinit, tha se presidenti rus, Vladimir Putin, dhe ai ukrainas, Petro Poroshenko, me telefon kanë biseduar për krizën në Ukrainë dhe se pikëpamjet e tyre për zgjidhjet e mundshme “janë përputhur në një masë substanciale”, kanë raportuar agjencitë ruse të lajmeve.

“Shefat e shteteve kanë këmbyer opinione për atë se çka kërkohet të bëhet së pari me qëllim që të përfundoj gjakderdhja në pjesën juglindore, sa më shpejtë që të jetë e mundur”, ka thënë Peskov, dhe ka shtuar se “pikëpamjet e presidentëve të dy vendeve, për dalje të mundshme nga kjo krizë e vështirë, përputhen në një shkallë substanciale”.

Putin dhe Poroshenko janë takuar javën e kaluar në Minsk të Bjellorusisë, por nuk ishte bërë progres i qartë drejt përfundimit të konfliktit, nga i cili janë vrarë më se 2,600 vetë, prej muajit prill të këtij viti.

Luftimet janë intensifikuar gjat javëve të fundit dhe qeveria e Ukrainës dhe Perëndimi e kanë akuzuar Rusinë se ka vendosur trupa në Ukrainë.

Këtë akuzë Rusia e ka hedhur poshtë.