Luftime të ashpra në Kobani të Sirisë

Kobani, 3 tetor 2014.

Luftime të ashpra janë raportuar midis luftëtarëve kurdë dhe militantëve të Shtetit Islamik (IS) në qytetin Kobani të Sirisë.

Raportet thonë se luftëtarët e IS-it kanë avancuar disa kilometra brenda qytetit kurd, pavarësisht sulmeve ajrore të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara.

Më herët, kryeministri turk, Ahmet Davutoglu, ka thënë se vendi i tij do të bëjë më të mirën e mundshme për të ndaluar IS-in nga uzurpimi i qytetit Kobani.

“Ne nuk do të donim që Kobani të bie. Do të bëjmë gjithçka të mundur për të parandaluar një gjë të tillë”, ka thënë Davutoglu.

Ai i ka bërë këto komente disa orë pasi Parlamenti turk ka miratuar një mocion, që i lejon qeverisë të kryejë operacione ushtarake brenda Irakut dhe Sirisë.

Ligjvënësit po ashtu i kanë dhënë qeverisë kompetenca për të lejuar forcat e koalicionit ndërkombëtar që të kryejnë operacione të ngjashme nga territori turk.

Qyteti Kobani ndodhet në kufi me Turqinë.

Turqia tashmë strehon mbi 160,000 refugjatë nga kjo zonë.