Policia turke i ka arrestuar sot 34 oficerë të sigurisë, nën dyshimin se në mënyrë të paligjshme i kanë përgjuar politikanët, shërbyesit civil dhe disa biznesmenë.
Lajmin për arrestimet e ka bërë me dije agjencia turke e lajmeve, Dogan.
Bastisjet dhe arrestimet janë pjesë e fushatës së presidentit Recep Tayyip Erdogan kundër përkrahësve të rivalit të tij, Fetullah Gulen, i cili aktualisht jeton në Shtetet e Bashkuara.
Sipas agjencisë Dogan, zyra e prokurorit të përgjithshëm në krahinën Gazintep, i ka udhëhequr bastisjet dhe arrestimet në 13 qytetet lindore dhe juglindore.
Zyra e prokurorisë nuk ka dhënë ndonjë koment për këto arrestime.
Erdogan e akuzon Gulen për krijimin e një “shteti paralel” në kuadër të administratës turke dhe se po bën përpjekje për ta rrëzuar pushtetin.