Prokurori i përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Eric Holder, ka bërë të ditur se Uashingtoni do të organizojë një samit më 18 shkurt, i cili do të ketë për temë luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm.
Duke folur në Paris, ku po merr pjesë në marshimin e solidaritetit për 17 viktimat e sulmeve terroriste në kryeqytetin francez, Holder ka thënë se samiti në Uashington do të synojë “të bashkojë burimet tona”.
Ai i ka bërë këto komente pasi ka takuar në Paris shefa të ministrive evropiane të drejtësisë dhe të punëve të brendshme.
Ministrat e brendshëm kanë kërkuar përmes një deklarate që Bashkimi Evropian të forcojë kufijtë e tij të jashtëm.
Ata po ashtu kanë thënë se ekziston një “nevojë urgjente” për të shkëmbyer informacionet për pasagjerët ajrorë evropianë.