Irani emëron ambasador të ri në OKB

Selia e OKB-së në Nju Jork.

Irani ka emëruar diplomatin Gholamali Khosroo për ambasador të ri në Kombet e Bashkuara.

Khosroo aktualisht shërben si ambasador i Iranit në Zvicër.

Emërimi vjen dhjetë muaj pasi Shtetet e Bashkuara, ku ndodhet selia e OKB-së, kanë refuzuar t’i japin vizë kandidatit të parë të Teheranit, Hamid Abutalebi.

Uashingtoni ka thënë në muajin prill se Abutalebi nuk është zgjidhje e duhur për shkak të rolit të tij të dyshuar në pengmarrjen e diplomatëve amerikanë në Teheran, pas Revolucionit Islamik më 1979.

Abutalebi ka thënë se ka shërbyer vetëm si përkthyes për pengmarrësit, të cilët kanë mbajtur peng 52 amerikanë për 444 ditë.