Arrestohet një person për kontrabandim të migrantëve

Policia e Kosovës ka arrestuar sot një person nën dyshimet se në vazhdimësi merrej me kontrabandim të migrantëve për në shtetet e Bashkimit Evropian.

"I dyshuari në bashkëpunim edhe me të dyshuar të tjerë nga Shtetet si Serbia dhe Hungaria, kanë arritur në mënyrë të organizuar të kontrabandojnë persona nga Kosova në drejtim të Shteteve të BE-së, për përfitime materiale të kundërligjshme", bën të ditur Policia e Kosovës.

Sipas tyre, këta persona merrnin të holla nga migrantët, shumë e cila sillej nga 1500 deri në 2200 euro, varësisht prej destinacionit të fundit.

Gjatë procesit të deritashëm të hetimeve janë identifikuar rreth 30 viktima të këtij krimi, të cilët, siç thotë policia, ishin mashtruar nga ky grup kriminal.

Migrantët e identifikuar i përkasin të gjitha rajoneve të Kosovës.

Gjatë këtij operacioni janë sekuestruar dhjetëra mijëra euro, disa fishekë, një veturë dhe dokumente tjera.

Policia bëri të ditur se hetimet e këtij rasti do të vazhdojnë për të identifikuar edhe të dyshuar të tjerë të mundshëm.