Lavrov: Rusia dhe SHBA, kundër hapave të dëmshëm për marrëdhënie

John Kerry (majtas) dhe Sergei Lavrov në konferencën për shtyp pas takimit në Soçi

Ministri i jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, ka thënë se Moska dhe Uashingtoni janë pajtuar për nevojën e shmangies së hapave që mund t’i dëmtojnë mëtutje raportet ndërmjet Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara.

Këto komente ai i bëri pas takimit të mbrëmshëm me sekretarin amerikan të shtetit, John Kerry, në pushimoren Soçi të Detit të Zi në Rusi.

Zoti Kerry po ashtu, është takuar edhe me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.

Zoti Lavrov tha se diskutimet kanë ndihmuar që Moska dhe Uashingtoni “më mirë ta kuptojnë njëri-tjetrën”.

Zyrtari i lartë amerikan tha se “urgjentisht nevojitet” që Shtetet e Bashkuara dhe Rusia të bashkëpunojnë për tu konfrontuar me sfidat globale.

Ai ka kërkuar nga të gjitha palët në konfliktin e Ukrainës që ta parandalojnë shkeljen e armëpushimit të arritur në muajin shkurt në Minsk të Bjellorusisë.

“Nëse dhe kur Minsku të implementohet tërësisht, është e qartë se sanksionet e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian mund të fillojnë të tërhiqen”, tha John Kerry.

Raportet ndërmjet Mopskës dhe Uashingtonit janë përkeqësuar ashpër pas aneksimit të Krimesë së Ukrainës nga ana e Rusisë, më 24 mars të vitit të kaluar.

Perëndimi, po ashtu, e akuzon Rusinë për armatimin e separatistëve prorusë në pjesën lidnore të Ukrainës dhe për dërgimin e trupave atje. Moska i kundërshton këto akuza.