Sulmuesi në Francë ishte i motivuar nga IS-i

Policia franceze duke shoqëruar Yassin Salhin.

Prokurorët francezë kanë thënë se ka lidhje midis grupit ekstremist të Shtetit Islamik (IS) dhe personit të dyshuar për vrasjen e shefit të tij me prerje koke dhe për përpjekje për të hedhur në erë një fabrikë gazi, në juglindje të Francës.

Yassin Salhi është arrestuar të premten në fabrikën e prodhimeve ajrore në qytetin Saint-Quentin-Fallavier, ku edhe ka punuar.

Ai ka thënë se shkak për veprimet e tij ka qenë një mosmarrëveshje në punë.

Por, prokurori Francois Molins ka thënë sot se ka prova që flasin për motive terroriste.

Koka e shefit të vrarë të fabrikës është gjetur e mbështjellë me flamur islamik.

“Yassin Salhi i ka prerë kokën viktimës së tij dhe e ka vendosur mbi një gardh, duke dashur të kërkojë vëmendje maksimale për veprimet e tij. Kjo përkon shumë ngushtë me udhëzimet e lëshuara nga IS-i, i cili rregullisht bën thirrje për sulme terroriste në territorin e Francës dhe për vrasje të jobesimtarëve në veçanti”, ka thënë prokurori Molins.