Ukraina ka njoftuar se ka ndërprerë blerjen e gazit nga Rusia, nisur nga sot, derisa të arrihet pajtim për kushte të reja të furnizimit.
Kompania shtetërore e energjisë Naftogaz ka thënë se “dërgesat e gazit përmes Ukrainës për klientët evropianë të Gazprom-it (kompanisë ruse), do të vazhdojnë në mënyrë të plotë”.
Njoftimi vjen pas dështimit të negociatave në Vjenë, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, për vazhdimin e furnizimeve edhe për tre deri në gjashtë muaj të ardhshëm.
Ministri i Energjisë i Ukrainës, Volodymyr Demchishin, ka thënë se rrethi i ardhshëm i bisedimeve do të mbahet në shtator.
Homologu i tij rus, Aleksandr Novak, ka deklaruar se vendimi i Ukrainës për të ndaluar blerjen e gazit rus është “politik”.
Rusia ka rritur në mënyrë dramatike çmimin e gazit për Ukrainën, pas rrëzimit të presidentit ukrainas, Viktor Yanukovych, në shkurt të vitit 2014.