Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Ashton Carter u ka thënë ligjvënësve amerikanë, se nënshkrimi i marrëveshjes bërthamore me Iranin, nuk i ndalon SHBA-të, të përgjigjen me forcë ushtarake nëse është e nevojshme.
“Nëse Irani bën agresion, ne me shpejtësi mund të rrisim numrin e forcave tona në rajon, të cilët kanë aftësitë më të avancuara, janë të pajisur me mjetet më të sofistikuara”, tha Carter para Komitetit për Shërbimetë Armatosura të Senatit.
Carter i është bashkuar Sekretarit amerikan të Shtetit John Kerry, Sekretarit të Energjisë, Ernest Moniz dhe Shefit të Stafit Martin Dempsey, për të dhënë dëshminë e tyre para komitetit.
Kongresi amerikan ka afat deri më 17 shtator për të shqyrtuar marrëveshjen, e cila ka për qëllim që të frenojë programin bërthamor të Republikës Islamike, në këmbim të heqjes së sanksioneve ekonomike ndërkombëtare.