Rohani: Migrantët, detyrim humanitar i Evropës

Presidenti i Iranit, Hassan Rohani.

Presidenti i Iranit, Hassan Rohani, ka thënë se vendet evropiane kanë “detyrim humanitar dhe historik” për të bërë më shumë për strehimin e migrantëve që arrijnë në kufijtë e tyre.

“Bota, sidomos Evropa, e ka detyrim humanitar dhe historik t’i ndihmojë këta njerëz të zhvendosur dhe të përplasur”, ka thënë Rohani, citon ueb-faqja zyrtare e tij.

Evropa është duke u përballur me një fluks të paparë të njerëzve që kërkojnë strehim, shumica e tyre nga Lindja e Mesme dhe Afrika.

Agjencia për Refugjatë e Kombeve të Bashkuara, UNHCR, ka thënë të shtunën se 366,402 migrantë kanë kaluar Detin Mesdhe këtë vit, për të arritur në Evropë.

Sipas UNHCR-së, 2,800 janë mbytur ose zhdukur gjatë rrugës.

“Jemi të lumtur që disa vende evropiane kanë ndërmarrë masa pozitive për migrantët dhe shpresojmë se edhe vendet e tjera do t’i bashkohen këtij trendi”, ka thënë Rohani.