Presidenti çek mbështet peticionin kundër refugjatëve

Presidenti çek, Millosh Zeman.

Presidenti i Republikës Çeke, Millosh Zeman, ka mbështetur peticionin kundër refugjatëve, përmes të cilit, ish-presidenti çek, Vaclav Klaus, i bën thirrje qeverisë që t’i rezistojë presionit për shpërndarjen e refugjatëve nëpër vendet e Bashkimit Evropian.

Përmes peticionit kërkohet po ashtu që Republika Çeke të mbrojë kufijtë e saj nga refugjatët me të gjitha mjetet në dispozicion, përfshirë edhe ushtrinë.

“Kjo nismë përmban të njëjtat ide që unë po i them gjatë gjithë kohës. Pajtohem me Vaclav Klausin në këtë aspekt”, u ka thënë Zeman gazetarëve gjatë një vizite në Kinë.

Klaus ka nisur peticionin të shtunën dhe vetëm dje atë e kanë nënshkruar mbi 10,000 njerëz.

Katër vende evropiane, Republika Çeke, Hungaria, Polonia dhe Sllovakia, kanë bllokuar propozimet e Brukselit, sipas të cilave, shtetet anëtare të BE-së duhet të pranojnë kuotat e detyrueshme për azilkërkuesit që kalojnë Detin Mesdhe dhe arrijnë në Itali dhe Greqi.