Pakistan: Është vrarë një lider antitaliban

Pamje pas një eksplodimi të mëparshëm në Pakistan

Një lider fisnor proqeveritar është vrarë nga një bombë, derisa udhëtonte në pjesën e trazuar veriperëndimore të Pakistanit.

Lideri Malik Sayed Ali Wazir, i cili e udhëhiqte një milici antitalibane në qytetin Bakahel, afër Peshavarit, vdiq në rrugë për në spital.

Djali i tij, që udhëtonte së bashku me të në veturë, është plagosur seriozisht dhe po mjekohet në spital.

Askush deri tash nuk e ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm, por në të kaluarën për incidentet e këtilla janë fajësuar talibanët.

Në qershor të vitit të kaluar, ushtria e Pakistanit e ka filluar ofensivën kundër bazave militante në territoret fisnore të këtij vendi, ku mbretëron anarki.

Kjo ofensivë është intensifikuar prej dhjetorit të vitit të kaluar, kur militantët talibanë i masakruan 153 vetë, përfshirë 134 fëmijë, në një shkollë në qytetin Peshavar.