Një person nga Mali i Zi mund të ketë lidhje me sulmet në Francë

Paris

Policia gjermane ka thënë se mund të ketë lidhje midis arrestimeve të bëra në Gjermani, disa ditë më parë, dhe sulmeve terroriste në Paris, që kanë ndodhur të premten mbrëma.

Ludwig Waldinger, zëdhënës i policisë bavareze, ka folur për mediat sot në Mynih:

“Inspektorët e policisë, duke bërë kontrolle të rëndomta në Rozenhajm, kanë ndaluar një Golf Volkswagen, me targa të Malit të Zi, të enjten, më 5 nëntor, në orën 8 të mëngjesit. Ai ka qenë duke udhëtuar drejt Mynihut nga Salcburgu. Ata (inspektorët) kanë hapur makinën, kanë shikuar vendet tipike ku fshihen gjërat kontrabanduese dhe kanë gjetur një pistoletë në pjesën e motorit. Ata e kanë kaluar informacionin te Zyra për Hetime Penale, spese kemi ekspertë për kontrbandim armësh. Më pastaj kemi inspektuar makinën dhe kemi gjetur një arsenal të tërë armësh: tetë kallashnikovë, dy granata dore, eskplozivë, dy revole dhe një pistoletë. Personi është arrestuar natyrisht dhe tani ndodhet në paraburgim. Ai nuk ka bërë asnjë deklaratë se nga ka ardhur apo çfarë ka pasur qëllim të bëjë me këto armë”, ka thënë Waldinger.

Qeveria e Malit të Zi, sipas agjencisë serbe Beta, ka demantuar se një person, me prejardhje nga Mali i Zi, i arrestuar së voni në Gjermani, ka lidhje me sulmet në Paris.