Ditë pa protesta, por me fjalor të ashpër opozitë - pushtet

18 nëntor

Liderët e partive opozitare në Kosovë kanë marrë vendim që t’i shtyjnë protestat e radhës të paralajmëruara pas arrestimit të deputetes së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ai i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj dhe kryetari i partisë Nisma, Fatmir Limaj e kanë cilësuar arrestimin e deputetes së AAK-së si veprim dhe vendim politik që është ndërmarrë me urdhrin e kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa dhe zëvendësit të tij, Hashim Thaçi.

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj u ka dërguar mesazhe kryeministrit Mustafa dhe zëvendësit të tij, Thaçi se edhe ata mund të kenë pasoja për këto veprime.

"Edhe Mustafa, edhe Thaçi duhet ta mendojnë se një ditë munden të thyhen edhe dyert e shtëpive të tyre, sepse ata nuk janë jashtëtokësorë. Aq sa janë me legjitimitet, autoritet familjar Albin Kurti, aq sa është Albulena Haxhiu, aq sa është Donika Kadaj, po aq janë edhe ata, edhe ata kanë shtëpi diku. Nëse ata mendojnë të shkojnë në këtë mënyrë për ta mbrojtur ‘Zajednicën’ dhe për të thyer shpitë e shqiptarëve me policë shqiptarë, janë shumë gabim”, është shprehur Haradinaj.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i liderit të Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh zëvendëskryeministrit Hashim Thaçi.

Përmes një postimi në Facebook, Thaçi ka shkruar se opozita e frustruar dhe e dhunshme bëri publike se tërhiqet nga protestat e dhunshme për marrjen e pushtetit me dhunë, por bëri kërcënime publike ndaj zyrtarëve më të lartë shtetërorë duke u thirrur në logjikën e kanuneve provinciale.

Sipas Thaçit, opozita sot po pushon, për të blerë kohë dhe gjej njerëz të tjerë të dhunshëm kudo që mundet sepse radhët e tyre po rrallohen.

Të mërkurën, opozita ka organizuar protesta, të cilat eskaluan në dhunë, pas arrestimit të deputetes, Donika Kadaj-Bujupi të cilës i është shqiptuar masa prej 30 ditëve paraburgim.

Ndërkohë që policia është në kërkim edhe të tre deputetëve të Vetëvendosjes, Albin Kurti, Albulena Haxhiu e Faton Topalli.

Kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri ka kërkuar që Policia e Kosovës, siç ka thënë ai, të mos bie nën ndikimin politik të Isa Mustafës e Hashim Thaçit.

“I bëjmë thirrje Policisë së Kosovës që mos të bëhen argat të njerëzve të pushtetit. Kundërshtimi jonë është politik i cili ka mbështetjen e qytetarëve. Për të kundërshtuar ‘Zajednicën’ e Daçiqit dhe Vuçiqit. Kosova sot është kapur peng nga dy njerëz të cilët janë të gatshëm ta shtinë popullin në konfrontim”, ka thënë Ymeri.

Akuzat e opozitës, i ka kundërshtuar ministri i Brendshëm, Skender Hyseni i cili ka përgëzuar policinë për profesionalizmin e treguar gjatë menaxhimit të gjendjes nga protestat e të mërkurës.

“Kërkesa ime eksplicite për Policinë e Kosovës është, zbatojeni ligjin, as më pak as më shumë. Askush nuk do të amnistohet nga barra e përgjegjësisë që e bartë”, është shprehur Hyseni.

Protestat e opozitës, thuhet se kanë si qëllim kundërshtimin e marrëveshjeve që Kosova ka arritur në dialog me Serbinë, sidomos asaj për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Po ashtu, po kundërshtohet edhe marrëveshja me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit.

Të tre liderët opozitar kanë rikujtuar se do të ftojnë një manifestim kundër qeverisë së Kosovës dhe politikave të saj në dialogun me Serbinë me 28 nëntori në Prishtinë.

Në shenjë kundërshtimi dhe me kërkesën për lirimin e deputetes Donika Kadaj Bujupi, gratë deputete nga partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovë, kanë organizuar në qendër të Prishtinës një marsh protestues.