VV: Qeveria Mustafa-Thaçi vazhdon të përndjekë opozitën

Pamje nga një prej seancave me gaz lotsjellës...

Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur për arrestimin e deputetit të opozitës, Pal Lekaj.

“Sot, Qeveria Mustafa-Thaçi arrestoi edhe një deputet të opozitës. Deputeti Pal Lekaj u dërgua para prokurorisë për shkak se ka kundërshtuar, së bashku me të gjithë deputetët e opozitës, 'Zajednicën; dhe demarkacionin me Malin e Zi”, thuhet në komunikatën e Vetëvendosjes.

Me 'Zajednicë', opozita i referohet Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për formimin e të cilit Kosova është dakorduar me Serbinë.

Lëvizja Vetëvendosje, së bashku me dy partitë e tjera në opozitë, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, së cilës i takon Lekaj, dhe Nismën për Kosovën, kundërshtojnë marrëveshjen për Asociacionin dhe marrëveshjen me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit.

Opozita, tash e sa muaj, është duke penguar punën e Kuvendit me mjete të ndryshme.

Autoritetet e rendit kanë arrestuar disa deputetë të opozitës për shkak të hedhjes së gazit lotsjellës në ambientet e Kuvendit.

“Është shumë e rëndësishme për Kosovën që kjo Qeveri sa më parë ta kuptojë që nuk do të ketë rrugë tjetër përveçse të tërhiqet nga marrëveshjet me Serbinë dhe demarkacioni me Malin e Zi, si dhe t'i lirojë të gjithë të burgosurit politikë. Sa më shumë që vonon, aq më i madh do të jetë çmimi për Kosovën”, thuhet në komunikatën e sotme të Vetëvendosjes.

Lëvizja Vetëvendosje paralajmëron se nëse deputetët dhe disa aktivistë “të burgosur politikisht” nuk lirohen menjëherë, “situata do të përkeqësohet dhe tensionohet edhe më shumë”.