Hagë: Gjykata kërkon proces të ri kundër dy serbëve të liruar

Franko (Frenki) Simatoviq dhe Jovica Stanishiq gjatë procesit kundër tyre në Hagë

Gjykata e Kombeve të Bashkuara për krime të Luftës në Hagë ka urdhëruar rigjykim të dy ish-zyrtarëve të lartë të Serbisë në kohën e regjimit të Sllobodan Millosheviqit, që më parë ishin liruar për përfshirje në krime të luftës në Ballkan në vitet e 90-ta.

Vendimi i sotëm nga Fausto Pocar, gjyqtar kryesues në Tribunalin Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavinë, e ka kthyer vendimin për lirim të vitit 2013 për Jovica Stanishiqin dhe Franko (Frenki) Simatoviqin.

Stanishiq ishte shef i shërbimit të sigurimit shtetëror të Serbisë deri në vitin 1998, kur Millosheviqi e pat shkarkuar, ndërsa Simatoviqi ishte zëvendës i Stanishiqit.

Prokurorët ndërkombëtarë thanë se ata kishin rol komandues në krijimin e bandave famëkeqe paramilitare brenda shërbimit të sigurisë serbe, që kanë kryer mizori në Kroaci dhe Bosnjë Hercegovinë, gjatë luftërave në Ballkan, nga viti 1992 e deri në vitin 1995.

Ata janë formalisht të akuzuar për pjesëmarrje në fushatën e pastrimit etnik, që synonte largimin e joserbëve nga disa pjesë të Bosnjë Hercegovinës dhe Kroacisë.