IS sulmon një kamp trajnimi të sunitëve

Ilustrim

Militantët e Shtetit Islamik e kanë sulmuar një kamp trajnimi në veri të Irakut duke lënë të vdekur së paku dy luftëtarë sunitë irakianë dhe plagosur katër trajnerë turq.

Kampi që gjendet në rajonin Bashiqa në afërsi të Mosulit, qytet që kontrollohet nga IS-i, u godit nga sulmuesit ndërsa luftimet kanë zgjatur për disa orë.

Ushtria turke tha se njësitë e saj artilerike sërish i kanë goditur objektivat e Shtetit Islamik.

Më shumë se 1 mijë luftëtarë ishin në kamp në momentin që ai është sulmuar.

Sulmi ndodhi mbrëmë në kohën kur po bëhet debat në mes të Turqisë dhe Irakut për shkak të dërgimit të trupave shtesë të Turqisë në Irak.

Bagdadi insiston se trupat turke nuk janë ftuar dhe duhet të largohen derisa Turqia insiston se ato janë të nevojshme për mbrojtjen e luftëtarëve në veri të Irakut.