Steinmeier: Riadi, Teherani të fokusohen kundër IS-it

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier.

Arabia Saudite dhe Irani ia kanë me borxh komunitetit ndërkombëtar që të lënë mënjanë mosmarrëveshjet e tyre në Lindjen e Mesme dhe të fokusohen në kundërshtimin e grupit militant Shteti Islamik, ka thënë ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, për gazetën Bild.

Arabia Saudite ka ndërprerë të dielën marrëdhëniet e saj me Teheranin, pas sulmeve në ambasadën dhe konsullatën saudite në Teheren.

Sulmet kanë pasuar ekzekutimin e një kleriku të shquar shiit nga Arabia Saudite, më 2 janar.

Steinmeier u ka bërë thirrje të dyja vendeve që të tregojnë përgjegjësi dhe të fokusohen në qetësimin e rajonit dhe në kundërshtimin e Shtetit Islamik.

“Shpresoj se këto turbulenca do të marrin fund shpejt, të mbizotërojë arsyeja dhe Riadi e Teherani të fokusohen në atë që është e rëndësishme – çaktivizimi i konflikteve ushtarake, nxitja e zgjidhjeve politike në Siri, Jemen dhe gjetkë”, ka thënë Steinmeier.

“E gjithë Lindja e Mesme, tani sidomos Arabia Saudite dhe Irani, janë disi në borxh me ne. Komuniteti ndërkombëtar ka punuar shumë, me vite, për të sjellë paqe në rajon”, ka shtuar ministri i Jashtëm gjerman.

Lexoni edhe këtë:

Arabia Saudite shkëput marrëdhëniet me Iranin