Greqia i ka “neglizhuar" obligimet në krizën e refugjatëve

Ilustrim

Greqia i ka “neglizhuar seriozisht” detyrimet e saj ndaj kufinjve të jashtëm të BE-së gjatë krizës me emigrantë, ka njoftuar Komisioni Evropian përmes një raporti të publikuar.

Në raport bëhet me dije se Athinës i caktohet një afat prej tre muajsh për të ndërmarrë veprime në këtë drejtim.

Raporti vjen në kohën kur është shtuar presioni mbi Athinën për t’u marrë me rrjedhën e emigrantëve ndërsa në të theksohet se Greqia mund të pezullohet nga zona Shengen pikërisht për shkak të neglizhencës së treguar.

“Draft-raporti konkludon se Greqia i ka neglizhuar seriozisht obligimet e veta dhe se ka mangësi serioze të cilat duhet të kapërcehen sa i përket kontrollit të kufinjve të jashtëm”, ka thënë gjatë një konference për media, zëvendësspresidenti Valdis Dombrovskis.

Raporti është bazuar nga një mision vlerësues, i cili në nëntor kishte shkuar në kufirin greko-turk të tokës dhe në disa ishuj në Detin Egje. Këto janë pikat kryesore prej nga kanë ardhur refugjatët në Evropë gjatë vitit 2015.

Nëse raporti miratohet nga shumica e 28 vendeve anëtare të BE-së, Komisioni Evropian me bazë në Bruksel, do të hartojë një “plan veprimi” për të mbështetur kufinjtë e Greqisë veçanërisht kufirin e saj detar me Turqinë.

“Greqia do t’i ketë tre muaj për zbatimin e veprimeve”, ka thënë Dombrovskis.

Dështimi i Greqisë për të vepruar, i hapë rrugë Brukselit për t’i autorizuar shtetet anëtare që të zgjerojnë kontrollet kufitare brenda zonës së Shengenit për dy deri në tre vjet.