Turqia “do të hakmerret” për sulmin në Ankara

Ankara, 17 shkurt 2016.

Turqia është zotuar se do të hakmerret kundër autorëve të një shpërthimi të fuqishëm në Ankara, i cili ka lënë 28 persona të vrarë dhe 61 të plagosur.

“Turqia nuk do të struket dhe do të përdorë të drejtën e saj për vetëmbrojtje në çdo kohë, në çdo vend dhe në çdo rast”, ka thënë presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan.

Zyrtarët kanë thënë se sulmi i së mërkurës është shkaktuar nga një makinë e mbushur me eksplozivë. Makina ka shpërthyer në një zonë ku ndodhet selia e parlamentit dhe ajo e ushtrisë.

Përgjegjësinë për sulmin deri më tash nuk e ka marrë asnjë grup.

Shtetet e Bashkuara e kanë dënuar fuqishëm atë.

“Jemi me Turqinë, një aleat i NATO-s, një partner i fortë”, ka thënë zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Ned Price.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se nuk mund të ketë justifikim për “akte të tilla të tmerrshme” dhe se “aleatët e NATO-s duhet të qëndrojnë krah për krah në luftën kundër terrorizmit”.

Tetorin e kaluar, një shpërthim në Ankara ka vrarë mbi 100 veta.

Muajin e kaluar, ndërkaq, një sulmues vetëvrasës ka vrarë 10 veta në Stamboll.